Eurokomisioneri Johannes Hahn thotë se edhe në rast se nuk merret një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, kjo nuk ka të bëjë aspak me mangësi në plotësimin e kritereve nga Shqipëria, por me një reformim të brendshëm të vetë unionit. Në një prononcim për mediat krah kryeministrit shqiptar, nga Brukseli, Johannes Hahn u shpreh:
"Ne e konfirmojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet. Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Përsa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit".
Për kryeministrin Edi Rama deklarata e Hahn është mëse e qartë dhe tregon atë se çfarë po ndodh me diskutimet brenda vendeve anëtare të BE-së ky mjafton që vetëm një shtet të ndajë qëndrim kundër zgjerimit, dhe hapja e negociatave do të shtyhet për Shqipërinë.