Hajdari: 3 amendimet për sistemin zgjedhor! Balla: LSI me damkën e blerjes së votës

25 Prill 2019, 12:17 | Përditesimi i fundit: 2019-04-25 16:04:17

Mazhoranca dhe opozita e re parlamentare, do të nisin së bashku rrugën për reformën zgjedhore, ku pika më e fortë e saj pritet të jetë ashpërsimi i dënimit për shit-blerjen e votës, dhe një kërkesë e opozitës për ndryshimin e sistemit duke kaluar në lista të hapura.

Në këtë seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ngritjen e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili nga 18 anëtarë pritet të ketë një numër më të reduktuar, me pjesëmarrje të barabartë nga mazhoranca dhe dy grupet e reja parlamentare, atij demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari, dhe atij të deputetëve të pavarur, Nimet Musai. Bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri nga PS dhe Korab Lita nga PD.

Rudina Hajdari sot në seancë plenare, tha se grupi i demokratëve do të propozojë ndryshimin e sistemit, ndërsa u ndal veçanërisht në tre amendamente.  Eliminimi i shit-blerjes së votës, ndalimi i përdorimit abuziv të fondeve publike dhe mbrojtja e listave zgjedhore dhe çdo tentative manipulimi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i bëri apel anëtarëve të rinj të komisionit që të lënë mënjanë flamurin e partisë dhe të punojnë për reformën zgjedhore, e cila veç rekomandimeve të OSBE-ODHIR që është themeli i saj, prite të shtojë edhe garantimin e votës së emigrantëve.

"Të ketë një diskutim të hapur me të gjithë aktorët politik në vend", tha Balla në apelin e tij.