Hajdari çon draftin për listat në Këshillin Politik: Të hapura 100%, mandat kush votohet më shumë!

20 Shtator 2020, 17:49

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari ka propozuar gjithashtu një draft në lidhje me hapjen e listave 100 %, ruajtjen e kuotës gjinore 30 % dhe mënyrës së shpërndarjes së mandateve. Me draftin e propozuar, Hajdari thekson se është e gatshme t'i diskutojë ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar pa pushim deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për t'ua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend. Në draft propozohet lista 100 % e hapur duke i dhënë 100 % fuqinë popullit të zgjedhë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij. Gjithashtu për renditjen e kandidatëve, Hajdari propozon që ajo të jetë sipas rendit alfabetik dhe jo atij numerik dhe renditja përfundimtare që do të vendoset në bazë të votave që secili kandidat ka marrë në bazë të votave parapëlqyese. Ndërsa në draftin e propozuar nga PS, renditja e kandidatëve vendoset nga forca politike dhe për të ndryshuar këtë renditje kandidati duhet të marrë një numër votash parapëlqyese më të madh sesa mesatarja e votave të partisë në zonë ku ata votojnë dhe se skualifikimi fillon nga fundi.Për shpërndarjen e mandatarëve sipas draftit të propozuar nga Rudina Hajdari duhet që ato t'u jepen vetëm kandidatëve që janë votuar më shumë nga populli. Sipas draftit fillimisht duhet përcaktuar numri i mandateve që merr një parti dhe më pas të shpërndarjen e tyre për kandidatët fitues duke ia dhënë atyre që kanë më shumë vota parapëlqyese. Shpërndarja e mandrave duhet bërë edhe duke u ruajtur kuota gjinore prej 30 %. Pra sipas Hajdarit, partitë politike kanë peshën për të përcaktuar kandidatë, ndërsa populli për të zgjedhur se kë do të çojë në Kuvend. Ndërsa në draftin që ka propozuar PS, shpërndarja e mandateve do të bëhet duke pasur parasysh 3 elementë; së pari, renditjen e kandidatëve në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat dhe, e treta mesatarja e partisë sipas çdo zone zgjedhore.