Hajdari qëndron në parlament: Jashtë PD-së? Babanë tim e përjashtuan dy herë

11 Mars 2019, 20:12

Deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari nuk do ta djegë mandatin e deputetit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rudina Hajdari u shpreh se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.

"Unë mendoj që parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë, që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj që qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur, që do i bëja dhe shërbeja të ardhmes së Shqipërisë" deklaroi ajo. 

Ajo thotë se ka zgjedhur Shqipërinë mbi partinë, pasi nuk mund të dalë kundër SHBA-së e BE-së dhe se vendi rrezikon që të shkojë në destabilitet, ndërsa ky vendim pengon integrimin në BE. "Unë nuk mund të ndjek një vendim kolegjial që shkon kundra frymës së Kushtetutës dhe interesit. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë, por do të zgjedh interesin e Shqipërisë". PD-ja përjashtoi Murrizin pasi doli kundër grupit, ndërsa duket se i njëjti fat do të presë edhe Rudina Hajdarin.

Por ajo ka një mesazh për drejtuesit e PD-së. "Dua ti kujtoj PD-së që nuk është hera e parë që përjashton anëtarë, ka ndodhur me tim atë, dy herë dhe më duhet të theksoj se ata janë penduar. Im atë është kryetari historik i PD-së. Ai është përjashtuar dy herë nga PD dhe PD-ja është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh".

Në fund të intervistës, Rudina Hajdari deklaroi nuk do të bashkëpunojë me LSI-në Kuvend. "E kam shumë të vështirë të luftoj krah LSI, në të gjitha raportet e OSBE evidentohet me probleme në shit-blerjen e votës". Rudina Hajdari vendosi që të zyrtarizonte vendimin e saj në ditën e lindjes së të atit. Azem Hajdari do festonte sot 56-vjetorin e lindjes. Ai u vra në Tiranë më 12 shtator 1998.

Vajza e Azem Hajdarit është e dyta që nuk pranon që të djegë mandatin, pas Myslim Murrizit, nga grupi i Partisë Demokratike. E ndërsa i pari u përjashtua nga partia dhe të gjitha funksionet brenda PD-së, ende nuk dihet si do të veprojë Basha me Hajdarin, teksa eksponentë brenda kësaj force politike kanë paralajmëruar të njëjtin fat edhe për vajzën e Azem Hajdarit.

Ndërkohë që në total nga opozita janë tre deputetët që dolën kundër grupit, pasi përpos dy nga PD-ja ishte edhe Lefter Koka nga LSI-ja. Ndërkohë që deri më tani numri i opozitarëve në parlament është 14, pasi nga listat vijuese pranuan që të marrin mandatin deri tani 11 emra, plus 3 që nuk pranuan ta djegin mandatin.

    No videos found.