Diskutimi mbi rezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin e Europian është kthyer në një "lumë" akuzash në seancën e sotme (24 shtator) parlamentare.
Nga foltorja e Parlamentit, deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari ka shprehur kritika mbi propozimin e PS-së për hapjen e listave dhe duke u drejtuar deputetëve të mazhorancës se ky është mashtrimi më i madh që u është bërë shqiptarëve.
Ajo u thotë se deputetët kanë frikë të përballen me popullin e tyre ndaj vijojnë mashtrimet dhe pandershmëria. Hajdari i bën thirrje mazhorancës se është në kohë për të tërhequr draftin e propozuar.
"Kjo është një rezolutë e rëndësishme. Një nga pikat ka të bëjë me reformën zgjedhore. Është kyçi i këtij parlamenti dhe i të ecurit përpara. Koha juaj ka mbaruar kolegë sepse e shoh në sytë e shqiptarëve. Kam takuar mijëra të rinj, njerëz punëtorë dhe të palodhur, njerëz që duan një të ardhme më të mirë. E ndjej në sytë e tyre që koha juaj ka mbaruar. Sot keni treguar që jeni ata njerëz që në kryefjalën e këtij parlamenti ekziston mashtrimi dhe pandershmëria. Si ka mundësi që gjithë këta njerëz që takoj përfaqësohen nga ju. Kjo pandershmëri arriti kulmin me hapjen e listave nga PS. Edi Rama ishte vetë ai që i pa shqiptarët në sy dhe u tha që listat do të hapen.