Hajdarmataj dhe Prela në garë për SPAK, KLP i pyet për përgjimet e BILD

9 Korrik 2019, 16:26

Prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj intervistuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si kandidat për në SPAK, Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Shqiptarja.com mëson se Hajdarmataj është pyetur edhe rreth përgjimeve të dosjeve 184 dhe 339, një pjesë e të cilave u publikuan në gazetën gjermane BILD nga gazetari Peter Tiede.

Dyshimet dhe akuzat janë hedhur se këto audio-përgjime kanë rënë në dorën e gjermanit nga Partia Demokratike. Ishte dhe vetë Arben Imami, ish-deputet i cili disa ditë më parë tha në media se Basha ka pasur dijeni për ekzistencën e këtyre përgjimeve që në 2017-ën kur PD protestonte në çadrën para kryeministrisë.

Por vetë Hajdarmataj, prokurori i njohur për lidhje me të djathtën dhe i akuzuar nga kryeministri Edi Rama si personi që i dha PD-së përgjimet, nuk e ka pranuar diçka të tillë para OPDAT dhe Euralius në seancën në KLP. Ai mësohet të jetë shprehur se "në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duhet krijuar një strukturë e posaçme për përgjimet, në mënyrë që materialet dhe dosjet të mos lihen në shumë duar". Me këtë shprehje, ai heq përgjegjësitë nga vetja dhe thotë se në mungesë të këtij sektori të posaçëm, në Prokurori përgjimet shkojnë në duart e shumë prokurorëve.

Besim Hajdarmataj është një prokuror mjaft i njohur në Shqipëri, ka kryesuar dosje të bujshme si ajo për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri ashtu edhe për grupin e gjobvënësve të Emiljano Shullazit.

Por përse garon për në SPAK? Hajdarmataj mësohet të jetë shprehur në këtë seancë me dyer të mbyllura se dëshiron  të vijojë karrierën e tij dhe se ndihet i aftë për këtë post.Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela i është nënshtruar intervistës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si kandidat për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Burime për Report Tv bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta se Prela ka argumentuar kandidaturën e saj si një dëshirë që vjen pas 18 viteve karrierë si prokurore. Ajo është pyetur edhe për dosjen "Shullazi",  sipas së cilës ka bërë lëvizjet e duhura edhe pse kjo shkaktoi konflikt të brendshëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. 

Nga ana tjetër, në fokus të pyetjeve të bërë nga KLP ka qenë edhe dosja e përgjimeve, e cila është mjaftuar se duke thënë se "çështja është nën hetim". Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka konstatuar probleme në Vetting për të cilat Prela ka dhënë sqarime edhe për këtë çështje, duke iu përmbajtur deklarimeve në KPK.

    No videos found.