'Halabake që falsifikon dokumentet'! Kryemadhi sulmon Gjonajn dhe bën fushatë për Metën: Në 2 mars do jem në shesh

22 Shkurt 2020, 16:01

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është bërë njësh me presidentin Meta (bashkëshortin e saj) duke sulmuar ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj me një fjalor seksist dhe aspak etik për një drejtuese partie që flet para popullit dhe elektoratit të saj. Epitetet e përdorura si 'ministrja bukuroshe' apo 'halabake rrugës' nga Kryemadhi për ministren Gjonaj, u shtuan gjatë akuzave që hodhi se ajo ka falsifikuar të drejtën kushtetuese të presidentit. Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Shkodër, Kryemadhi ka sulmuar ashpër ministren e drejtësisë duke thënë se 'ajo heq shenjat e gishtërinjve të trafikantëve dhe i zëvendëson ato me të njerëzve të thjeshtë', ndërsa shtoi se kur arrin të falsifikojë protokollet e shtetit, ajo mund të bëjë ç'të dojë me fatin dhe jetën e shqiptarëve.

'Një ministreshë që ka vjedhur protokollin dhe e ka falsifikuar atë, ashtu ka arritur të vjedhë dhe pronat e shqiptarëve. Një halabake rrugësh që merr guximin për të falsifikuar protokollin e shtetit, mos u çudisni që kjo dhe bandat e saj kanë vjedhur pronat e shqiptarëve. Ajo u heq shenjat e gishtërinjve trafikantëve të drogës dhe vendos ato të shqiptarëve të thjeshtë. Kjo halabake kur arrin të falsifikojë të drejtën kushtuese të presidentit mund të presësh shumë dhe se çfarë mund të bëjë ajo me jetën tona dhe fatin e shqiptarëve', tha Kryemadhi.