Hap dyert 'Spitali rajonal Memorial Fier'! Rama: Unë do isha bastexhiu i humbur përballë Erdogan

21 Prill 2021, 21:48

FIER- Sot, 21 prill 2021, është inauguruar spitali Memorial Rajonal i Fierit! Një bast i humbur me presidentin Erdogan, e ka quajtur kryeministri Edi Rama, pasi tha se nuk i besoi fillimisht se ky spital do të përfundonte brenda 3 muajsh.

“Kemi bërë shumë mirë që i kemi ndaluar bastet, se unë sot do isha një bastexhi i humbur dhe Erdogan do ishte fituar, por s’e vumë bastin për fat të mirë. Nuk i gjej dot bisht kësaj pune, është sukses mbi suksesin, por as nuk dua ta harroj se presidenti mban shënime, në takimin historik ne kemi nënshkruar disa marrëveshje dhe se për ato kanë nisur puna”, tha Rama.

Në një lidhje direkte nga Turqia, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se spitali i ri është një simbol i miqësisë pa interes mes dy vendeve.

“Spitali Rajonal në Fier është investim i rëndësishëm i Turqisë. Spitali ka kushte moderne. Do vazhdojmë t’i shërbejmë Shqipërisë. Uroj që ky spital i miqësisë, të shpërndajë sa më shumë mirësi për vëllezërit shqiptarë”, deklaroi Erdogan.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë i Turqisë, dr. Fahrettin Koca, i pranishëm në ceremoni, tha se ky spital do t’u shërbejë të gjithë shqiptarë, por në një kohë të mëvonshme, mund të jetë një derë për të kuruar të sëmurët nga gjithë Ballkani.

“Ky spital do të funksionojë me modelin të cilin ne kemi filluar ta zbatojmë që në vitin 2002. Unë besoj që Spitali i Fierit, i miqësisë shqiptaro-turke, me pajisjet e tij moderne, në fillim fare do të jetë në shërbim të të gjithë shqiptarëve, por më pas për të gjithë Ballkanin, do të jetë derë për të kuruar të sëmurët", tha ai.