Hapen pjesërisht tregjet e shumicës, mungojnë klientët! Tregtarët: E hapëm sa për mos ndenjur kot në shtëpi

20 Prill 2020, 16:08

TIRANË- Nga sot kanë vijuar aktivitetin ekonomik një sërë biznesesh e kryesisht të shumicës, që ishin të mbyllura me vendim qeverie, ndërkohë që 55 aktivitete të tjera si baret dhe restorantet apo edhe dyqanet e pakicës do të qëndrojnë të mbyllura.

Report TV ka kryer një vëzhgim në pikat e shumicës së veshjeve dhe të elektro-shtëpiakeve, që kanë hapur dyert e biznesit të tyre ditën e sotme, duke marrë fillimisht një leje në E-Albania. Edhe pse janë dyqane të shumicës kryesisht të veshjeve dhe këpucëve, bizneset në Zonën e Medreses shumica janë të mbyllura. Ndërsa numri i atyre personave që kanë vendosur të hapin aktivitetin ditën e sotme fillimisht kanë aplikuar për leje.