Hapet qendër sociale në Urën Vajgurore, Manastirliu: Mbështesim 14 bashki me fondin social - Për lajme të tjera klikoni në www.shqiptarja.com

9 Janar 2020, 15:00

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e pranishme në hapjen e qendrës së re në bashkinë e Urës Vajgurore ku u shpreh se është koha për ngritjen e shërbimeve sociale në çdo komunitet.  “Jam shumë e kënaqur që në Bashkinë e Urës Vajgurore çelim këtë qendër sociale në zemër të komunitetit, për ti dhënë një mundësi më të pamundurve, fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta, grave në vështirësi, të marrin trajtimet për të cilat kanë nevojë”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se qeveria shqiptare po investon për ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve sociale në të gjitha bashkitë e vendit nëpërmjet Fondit Social.

“Janë 14 bashki, nga Dibra, Durrësi, Elbasani, Librazhd, Prrenjas, Lushnje, Roskovec, Gjirokastër, Maliq, Kurbin, Lezhë, Tirana me dy projekte dhe Saranda, që nëpërmjet Fondit Social po ngrenë shërbimet e reja për fëmijët me nevoja të veçanta, për gratë në nevojë, të moshuarit e vetmuar dhe grupet më vulnerabël”, tha Manastirliu.

Sipas ministres, të gjithë së bashku mundemi të krijojmë një mjedis favorizues që në fund të vitit 2021 të synojmë ngritjen e shërbimeve sociale multifunksionale në 26 bashki që nuk kanë shërbime sociale në territor.

Ngritja e Qendrës Komunitare në Bashkinë e Urës Vajgurore është një ndërhyrje e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara "Askush Të Mos Mbetet Pas’, i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Shqipëri, dhe zbatohet nga UNDP-ja në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe Agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, sipas ministrise se Shendetesise.