Ringritja e Gjykatës Kushtetuese gjatë ditëve të fundit të vitit 2020, duke tejkaluar kuorumin minimal prej gjashtë anëtarësh, do të pasohet me zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate. Që në dhjetor të vitit 2018, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra kryetarin Bashkim Dedja, kompetencat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ushtron Vitore Tusha, anëtarja e vetme që i shpëtoi furtunës së Vetingut. Shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen gjatë ditëve në vijim, ku përpos shqyrtimit të dosjeve të para në seancë plenare, do të nisin edhe procedurat e zgjedhjes së kryetarit të gjykatës.
