Hapet tenderi edhe për pjesën e dytë të Lungomares në Vlorë

14 Gusht 2019, 12:15

Ka shpallur tenderin e radhës Fondi Shqiptar i Zhvillimit, sëbashku me Bashkinë Vlorë, për ndërtimin e lotit të dytë të shëtitores së qytetit bregdetar jugor, të njohur tashmë gjerësisht me emrin e “Lungomares”. Projekti parashikon zgjatjen e shëtitores nga fundi aktual jugor i saj deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë.

Sipas njoftimit të shpalljes së garës, vlera limit e parashikuar do të jetë 458.286.818,65 lekë pa TVSH, e barabartë me 3.8 milionë euro. Projekti, pas vlerësimeve pozitive që pati loti i parë i Lungomares, parashikon disa risi të rëndësishme, si për shembull ndërtimin e dy pishinave olimpike, për të rritur e për fëmijë, përgjatë lotit të dytë, në bregdet, që do të zëvendësojnë një pishinë aktuale, e cila nuk plotëson standardet cilësore dhe të sigurisë që kërkohen. Po kështu, një zgjidhje interesante ofrohet me ruajtjen e relievit të veçantë shkëmbor të këtij segmenti, ku gurët e mëdhenj do të mbeten si pjesë e shkallëve që të çojnë në breg, etj.

Për vitin 2019 fondi në dispozicion është 50.000.000 lekë. Hapja e ofertave do të bëhet më 12 shtator 2019.