Hapet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e 2500 banesave në 10 bashki pas tërmetit tragjik

10 Mars 2020, 18:19

Pas miratimit në qeveri të projekteve për ndërtimin e banesave individuale për familjet e mbetura pa shtëpi si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur këtë të martë tenderin e parë për rindërtimin e banesave individuale.

Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është hapur tenderi ndërkombëtar për Rindërtimin e shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti (në kuadër te procesit te rindërtimit) me një fond limit prej 42.4 milionë eurosh ose rreth 6.2 miliardë lekësh me TVSH. Sipas dokumenteve zyrtare kohëzgjatja për zbatimin dhe ekzekutimin e kontratës do të jetë 24 muaj, ndërkohë marrëveshjet kuadër, që do të lidhen sipas kërkesave të Autoriteteve vendore mund të zgjasin edhe deri në 4 vite. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është 19 marsi 2020.