Hapet tenderi për 35 vjet për aeroportin e Vlorës/ Balluku: Punimet do të nisin më 31 maj 2020

19 Dhjetor 2019, 16:14

TIRANE- Hapet zyrtarisht tenderi për kompanitë që do të marrin përsipër ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se afati do të përfundojnë në datë 12 Mars të vitit 2020, ndërsa më pas punimet do të nisin në 31 maj.

Balluku tha se koncesioni do të zgjasë për 35 vite ndërsa deklaroi se ky projekt të sjellë konkurrencë dhe shërbime të larta. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se numri i turistëve të huaj që vijnë nga ajri do vijë gjithmonë në rritje pas ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Krislen Keri, drejtori i Aviacionit Civil tha gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit të Aeroportit të Vlorës se monopoli i e Aeroportit Nënë Tereza ka qenë një pengesë për ecurinë e aviacionit, ndërsa deklaroi se nisja e punimeve për dy aeroporte të reja do të përmirësojnë shërbimet dhe do të sjellin tarifa më të ulëta.

Vlora ka hyrë në historinë e fluturimeve në Shqipëri në 1914 kur u Pushtua nga italianët. Ata ngritën një kamp aviacioni për qëllime ushtarake, që përveç avionëve të zakonshëm përfshinte edhe një bazë hidrovolantësh. Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore.

Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit. Sa i përket Vlorës, në vitet ’40, nga aeroporti i këtij qyteti zhvilloheshin tre linja fluturimesh: Vlorë-Gjirokastër ku bileta kushtonte 11 franga ari për person, Vlorë-Romë që kushtonte 90 franga ari për person dhe Vlorë-Tiranë 17 franga ari.