'Harbohen' shoferët në fundjavë/ Hiqen 138 patenta dhe 2051 gjoba! S'ndalen garat! 8 shoferë përfundojnë në komision

16 Gusht 2020, 11:13

TIRANË- Fundjava ka sjellë "harbim" të shoferëve", e për pasojë edhe ndëshkimin e tyre nga ana e policisë rrugore. 138 patenta janë hequr dhe 2051 gjoba! Është ky bilanci i 24 orëve të fundit të Policisë Rrugore.

Referuar burimeve zyrtare, në terren kanë dalë 32 patrulla me punonjës policie dhe civilë, 4 dronë dhe 6 radarë, ku janë evidentuar në sërë shkeljesh nga ana e shoferëve shqiptar, duke nisur që nga parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit në timon, mosvendosje të rripit të sigurimit apo parkime të gabuara.

Ndërkohë, edhe nuk janë ndalur garat e shpejtësisë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, njofton policia, 8 shoferë janë dërguar në komision pasi po kryenin gara shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Njoftimi i plotë i policisë
Vijon Plani-Operacional "ROADPOL GUSHT 2020".

Katër dronë, 6 radarë  dhe 32 patrulla me punonjës policie civilë në monitorim të qarkullimit në të gjithë vendin për parandalimin e aksidenteve rrugore. Policia Rrugore prej dy ditësh po monitoron me dronë akset rrugore nacionale për evidentimin dhe ndëshkimin e parakalimeve të gabuara, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Në kuadër të këtij plani, në akset rrugore bregdetare dhe në akset kombëtare, në zonat urbane, interurbane dhe ato rurale, janë shtuar monitorimet duke përdorur dronë dhe patrulla me punonjës policie civil krahas atyre me uniformë, me qëllim kontrollin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve dhe mjeteve me dy rrota, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe të rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë.

Si rezultat i monitorimit me dronë nga njësia operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe dhe nga patrullat me punonjës civilë, dje dhe paraditen e sotme, në akset “Elbasan-Peqin”, “Fier-Vlorë-Orikum”, “Fier-Tepelenë-Gjirokastër”, “Milot-Lezhë” dhe “Milot-Morinë” dhe aktualisht në “Fushë-Krujë-Milot”, janë evidentuar dhe ndëshkuar 896 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara.

Në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit nga shërbimet e Policisë duke përdor 6 radarë janë evidentuar dhe ndëshkuar 97 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara duke ju pezulluar leja e drejtimit. Janë dërguar në OASH 8 drejtues mjetesh për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë.