Harrohet virusi, lokalet në Tiranë i kthehen normalitetit, nuk respektohen masat anti-covid

3 Qershor 2020, 16:34

Prej datës 18 maj baret dhe restorantet rihapën dyert për klientët, fillimisht duke zbatuar masat anti-covid, por tashmë teksa kanë kaluar 2 javë nga hapja e tyre, duket se respektimi i masave nuk po bëhet 100%. Në një vëzhgim që Report Tv ka bërë këtë të mërkurë, shihet qartë se në një tavolinë qëndrojnë më shumë se dy persona dhe se distanca e sigurisë nga një tavolinë në tjetrën, nuk arrin në 2 metra.Edhe vet personeli shërbyes, nuk është i pajisur me doreza, ashtu siç protokolli e kërkon për ti shërbyer klientëve e ndërsa maskat herë janë të vendosura saktë e herë të ulura. Matja e temperaturës për çdo klient nuk duket se respektohet, por nga ana tjetër edhe vet qytetarët duket se nuk bezdisen nga një fakt i tillë. Ata duken të qetë ndërsa shijojnë bisedën në kafene. Tashmë që vendi ynë ka hyrë në fazën e hapjes dhe nuk ka më kufizime, është në dorë të qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm, duke marrë parasysh faktin që covid është ende mes nesh.