Hashim Thaçi i shkruan Kurtit: Do mandatohesh apo të mandatohet dikush tjetër?

10 Janar 2020, 14:06

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një letër kreut të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Albin Kurti për vonesat që po krijohen në propozimin e të mandatuarit për kryeministër të Kosovës.

Në letër Thaçi i ka kërkuar Kurtit që ta njoftojë nëse LVV’-ja do të dorëzojë emrin e Kryeministrtit të ri apo nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që siç thotë Thaçi në letër, të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër.Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14,  e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e Thaçit dërguar Kurtit.

Pak ditë më parë Presidenti Thaçi dhe Albin Kurti, pas tre takimeve të propozuara dhe refuzuara nga lideri i VV, u takuan më 6 janar në Presidencë për t’u konsultuar për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Kurti pas takimit që zgjati vetëm disa minuta theksoi se ende nuk është mandatuar dhe se më pas do ti dërgojë shkresën zyrtare Presidentit, i cili nga ana e tij caktoi 48 orë afat për kthimin e përgjigjes, gjë e cila ende nuk ka ndodhur edhe pse afati i përcaktuar ka kohë që ka kaluar.

    No videos found.