Hashim Thaçi: Takimi me Kurtin më 6 janar, të gatshëm të heqim kufirin me Shqipërinë

31 Dhjetor 2019, 15:53

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur konferencën e tij të fundit për këtë vit.

I pyetur për iniciativën e Mini Shengenit, Thaçi tha se ka refuzuar pjesëmarrjen në samitin e Ohrit dhe Tiranës për shkak se Kosova është injoruar në samitin e Novi-Sadit.

“Kosova është shumë e interesuar dhe ka dëshmuar vetën për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit – si parakusht për lëvizje më të shpejt në BE dhe NATO. Jemi të bindur se bashkëpunimi rajonal hap përspektivë të gjithanshme”.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi theksuar shumë qartë se Kosova do të jetë kontributdhënëse e madhe e paqes dhe stabiliteti dhe e bashkëpunimit të iniciativave rajonale – me të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.

“Dua të sqaroj se në takimin e parë në Novi Sad, në mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut – Kosova nuk ka qenë e ftuar fare e as e trajtuar si shtet i pavarur dhe sovran”.

“Ky është një fakt të cilin në veçanti Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet ta kenë parasysh gjithmonë sepse Kosova është njohur si shtet i pavarur. Si rrjedhojë e injorimit të Kosovës në Novi Sad – të dy ftesat që më janë dërguar, i kam refuzuar; megjithëse ftesat më referoheshin si president i shtetit të Kosovës”.

“Arsyeja tjetër e refuzimit ka qenë edhe argumenti se nuk mund të kemi bashkëpunim rajonal vetëm kur takimet mbahen në një vend të caktuar. Në Novi Sad, Kosova ka qenë e përjashtuar. Kosova nuk e ka asnjë çështje të hapur me tre vendet e lartpërmendura, por çështje fondamentale për Kosovën dhe rajonin mbetet Serbia – si rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe si aleati i vetëm i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”.

“Të gjithë ne e dimë se Rusia synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor  duke paraqitur vonesa dhe pengesa që vendet e rajonit të mos integrohen në NATO dhe BE”.

Presidenti i Kosovës, gjatë daljes së tij për media me rastin e fundvitit ka bërë të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ftesës së tretë të Hashim Thaçit, është pajtuar që takimi ndërmjet tyre të mbahet të hënën, më 6 janar, në ora 15.00.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, tha presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se 2019 ishte një vit me plot sfida, ndërsa ka shprehur besimin se 2020 do të jetë vit i tejkalimit të këtyre sfidave në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në adresimin e tij me rastin e fundvitit, kreu i vendit ka folur edhe rreth procesit elektoral për të cilin tha se ka dëshmuar progres të standardeve, ndërsa ka përmendur edhe punën për thellimin e reformave demokratike dhe forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Duke folur rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, presidenti Thaçi tha se pret që në javët e para të janarit të arrihet implementimi i tij, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

“E di për vështirësitë për një arritje të një marrëveshje që janë normale dhe natyrisht partia fituese e përcakton partnerin. Kemi realitet tjetër politik në Kosovës. Çdo marrëveshje e mirëpres dhe do ta shtyj përpara. Është me interes të mos humbet kohë dhe mund të them se Kosova është në një stad të zhvilluar të themelimit të institucioneve dhe çdo marrëveshje që e bëjnë partitë politike do ta mirëpres”, është shprehur ai.