HEC-et ‘shtylla kurrizore’ e programit të PD! Basha ‘korrigjon’ gabimin me bursën e energjisë

27 Shkurt 2021, 14:44

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mblodhi sot në një takim Përfaqësuesit e Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, ku nënvizoi edhe një herë fokusin tek shfrytëzimi i mëtejshëm të burimeve hidrike, pra ndërtimin e hidrocentraleve.

“Pa diskutim energjia hidrike mbetet shtylla kurrizore e sistemit energjetik shqiptarë, por jam i bindur që me pasurimin e burimeve dhe diversifikimin e tyre, në veçanti sa i përket energjisë diellore edhe asaj eolike, do bëjmë të mundur që edhe vlerën e energjisë hidrike ekzistuese dhe asaj në të ardhmen ta shumëfishojmë dh eta bëjmë që të punojë për ekonominë shqiptare”, tha Basha.

Basha kërkoi nga prodhuesit që të jenë aleatët e tij, për të çuar përpara sektorin e energjisë, për të ulur importin dhe për të rritur punësimin.

“Me një kërkesë të vetme ndaj jush, të jeni aleatët e mi, qeverisë, qeverisjes së ardhshme dhe shqiptarëve në atë mision, të rritjes së punësimit, të rritjes së konkurueshmërisë, të diversifikimit të eksportit shqiptar, eksportit të energjisë po kështu. Si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues. Ku ju do t’u shohim si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues dhe si rezultat do të jetë një nga levat e fuqishme të objektivit tonë për 110 mijë vende pune në katër vitet e mandatit tonë të parë”, u shpreh Basha.