Hektor Dule: Thirrje për zhdukjen e skulpturave monumentale

24 Shtator 2019, 18:53

Skulpturat monumentale, po shkatërrohen dhe një pjesë e tyre janë zhdukur. 
Në mesin e debateve 30-vjeçare, duke iu kundërvënë artit të diktaturës, monumentet e partizanëve janë të parët që u goditën me gurë. 
 “Po këtu, po na ngatërrohen gjërat! Çdo gjë që i kushtohet luftës qenka e keqe. Po mohohet lufta e fundit nacionalçlirimtare, por janë vrarë gjithë ata njerëz more. Tema e luftës është mënjanuar komplet. Gjak qeni ishte ai, që u derdh? Ishte gjak, nuk ishte bojë, ishin vëllezërit tanë ata që u vranë, ishin baballarët tanë”- tha skulptori Hektor Dule

Skulptori 80-vjeçar Hektor Dule ka, dhënë një kontribut të çmuar në skulpturën monumentale kombëtare. 
Kur ishte 5 vjeç, artisti pa me sytë e tij çastin ku vajza me bucelë i dha ujë partizanit. I ngrirë në kujtesën fëminore, ai çast sot është monument në parkun e Liqenit të Tiranës. 
“Kjo është e dhimbshme, të ikën gjithë jeta, gjysma e jetës, gjysma e krijimtarisë, të ikën bosh, të ikën kot, sepse nuk është interesuar njeri për t’i derdhur në bronz”, tha Dule. 
Skulptori që ka realizuar me mjeshtëri: përmendoren e Mushqetës në rrugën Tiranë-Elbasan; “Metalurgun” si bashkautor me Kristaq Ramën; lapidarin e 500-vjetorit te vdekjes së Skënderbeut, e së fundi gjuhëtarin e madh Eqrem Çabejin në hyrjen e Akademisë së Shkencave, duke folur për Report TV deklaron jo pak vepra të dëmtuara e të humbura.
“Relievi i Gjirokastrës, po shkatërrohet se është në beton, relievi i Mushqetas po shkatërrohet se është në beton. Dhe e keqja jonë është se të gjitha  punimet tona atje janë shkatërruar, punimet tona kanë humbur, janë vepra arti që kanë humbur. Në Galerinë e Arteve ka punë që kanë humbur. Po i numëroj: Në Galerinë e Arteve ka punë që kanë humbur: Grupi skulpturor “Brez pas brezi”, ka mbetur një fotografi, sepse vepra tjetër “Guri i rëndë në vend të vet” apo “Toka ime, jeta ime”, që është një malësor mbi 2 metër e gjysmë skulpturë, u mor nga Galeria e Arteve. Nuk më intereson se kush ka qenë drejtor atje. U mor dhe me urdhër të s’di se kujt, e çuan në Llugaj të Tropojës. Atje u thye ajo punë. “Metalurgu”, puna ime me Kristaq Ramën. Kjo është një punë që ka mbetur vetëm në fotografi. U mor nga Galeria e Arteve dhe shkoi në kombinat të traktorëve.  Nuk dihet ku është. Puna e parë imja, kur shkoj në Moskë u ekspozua dhe kur erdhi nuk dihet ku është.”, rrëfen skulptori i mirënjohur Hektor Dule. 
Skulptura e luftës çlirimtare dhe ndërtimit të socializmit, zë vendin më të madh në monumentet kombëtare. 
Veprat u krijuan nga skulptorët e shquar: Odise Paskali, Kristaq Rama, Hektor Dule, Muntaz Dhrami, e të tjerë, por ende nuk ka një album “rehabilitimi”, siç është “Realizmi Socialist Shqiptar” për pikturën, projekt i realizuar nga Galeria Kombëtare, kur drejtohej nga piktori i njohur Artan Shabani.