TIRANË- Shengeni rajonal, ideja e prezantuar shpesh nga kryeministri Edi Rama, për bashkëpunim pa dogana jo vetëm me Kosovën, por edhe me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, sipas bizneseve është nismë tepër pozitive. Sipërmarrësi Zef Shtjefni shprehet se konsumatorët apo qytetarët janë përfituesit kryesor nëse doganat zhduken, pasi do blejnë të njëjtat produkte por më lirë.
“Që duhen zhduk doganat nuk prodhojnë asgjë, duhen njehsuar sistemet tatimore, që një faturë që del nga Shqipëria duhet të njihet në Kosovë, me teknologjinë e sotme është shumë e lehtë, thjesht duhet të punojë administrata. Konsumatori del më i fituari, pasi do ketë konkurrencë shumë më të madhe në treg, do ketë produkte shumë më cilësore dhe do ketë çmime më të ulta. Sepse mallrat e mira do të qarkullojnë dhe do të blihen, ndërsa ato prodhuesit me cilësi më të ulët, do të ndërgjegjësohen dhe do prodhojnë produkte më të mira dhe më të lira. Konsumatori më i fituar”, shprehet Zef Shtjefni.Duke qenë se Shqipëria është një vend që importon produkte të shumta nga vendet e huaja, heqja e taksave doganore do të sillte uljen e çmimeve, pasi edhe kostot e prodhuesve ulen. Në këtë mënyrë duke ulur shpenzimet për prodhuesit, mallrat e ndryshme dalin në treg me çmime më të favorshme. Ndërkohë nga ana tjetër Shtjefni, shprehet se eksportet për materialet e ndërtimit janë në rënie për dy arsye.