Heqja e propozimeve të pakërkuara për PPP-të/ Denaj: Në qeverisjen e PS-së më pak koncesione

18 Shkurt 2019, 19:46

TIRANE-Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj paraqiti sot ndryshimet në ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetit Publik Privat” në n/komisionin Parlamentar të Ekonomisë duke i hapur rrugë bllokimit  të dhënies së pasurive publike, me partnerit publik privat, nëpërmjet skemës së propozimit të pa kërkuar. E ndërsa opozita vijon që të akuzojë qeverinë se po privatizon gjithçka, ministrja Denaj beri një bilanc të kontratave aktive si dhe vlerave të tyre duke theksuar se në qeverisjen e PS-së ka më pak koncesione krahasuar me PD-në. "Nga 2004 deri në 2013 janë 176 kontrata aktive. Ndërsa nga 2014 deri në 2019 kemi 50 të tilla. E përkthyer në vlerë, nga 2004 deri në 2013 janë 385.5 miliardë lekë, ndërsa në 5 vitet fundit vlera arrin në 421 miliardë"  deklaroi ajo.

Fjala e plotë e ministres Denaj
Së pari, heqja e propozimeve të pakërkuara në një sërë sektorësh. Kemi propozuar kufizimin e së drejtës së identifikimit e të zhvillimit të propozimit të projekteve të koncesionit/PPP, nëpërmjet propozimeve të pakërkuara nga sektori privat.Konkretisht, me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik e 2019-ës të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror, dhe nuk do të jetë më e mundur të propozojnë nga sektori privat projekte koncesioni/PPP në formën e propozimit të pakërkuara për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.Pas datës së sipër përmendur, këto projekte do të zhvillohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara në ligjin nr. 125/ 2013 dhe jo më me procedurë të veçantë, siç trajtohen aktualisht. Së dyti, një pikë tjetër shumë e rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara. Me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën e konkurrimit është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus të operatorëve që paraqesin propozim të pakërkuar.

Për të nxitur sektorin privat dhe për të propozuar projekte të studiuara, duke përdorur kapacitetet dhe eksperiencën e tyre, është propozuar zëvendësimi i sistemit me pikë bonus me atë të kompensimit me vlerë monetare të propozuesit të pakërkuar. Në rast se ky i fundit nuk shpallet fitues, gjithsesi nëçdo rast vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1 % e vlerës së investimit. Mekanizmi i propozuar i kompensimit nuk cenon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozimin e pakërkuar. Së treti, forcimi i rolit të ministrisë përgjegjëse për financat dhe ekonominë. Qëllimi i këtij projektakti është përcaktimi i qartë i rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve të koncesionit/Partneritetit Publik Privat dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP nga pikëpamja e implikimeve fiskale, individuale apo në grup për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontigjente eventuale.

Momentalisht, ministria përgjegjëse për financat nuk merr nga autoritetet kontraktuale dhe si rrjedhojë nuk shqyrton raporte mbi performancën e ecurisë së tyre pas firmosjes dhe pas fillimit të projekteve. Menaxhimi i riskut fiskal kërkon një vlerësim periodik të performancës së tyre. Në rastin e performimit të dobët të kontratave, është e nevojshme marrja e masave të menjëhershme për minimizimin e kostove fiskale.

Ministria përgjegjëse për financat duhet të jetë e informuar në lidhje me risqet e kontratave për të analizuar dhe minimizuar këto risqe fiskale dhe buxhetore.

Një parashikim që vlerësohet shumë i rëndësishëm është që përpara nënshkrimit të kontratës përfundimtare të koncesionit apo PPP-së, kjo kontratë të paraqitet sërish për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat. Çfarë ka ndodhur më përpara është që, bëhej kalimi te Ministria e Financave për të marrë një opinion, pastaj në procesin e negociatave dhe negocimeve, nëse do të kishte ndryshime ato nuk vinin për informim te ministria përgjegjëse dhe, në një farë mënyre, nuk kishte një përgjigje dhe nga Ministria e Financave për implikimet fiskale që mund të ekzistonin pas negocimeve. Kjo gjë eliminohet.

Gjithashtu, për të shmangur çdo ndryshim dhe çdo kosto shtesë, si rrjedhojë e vënies në zbatim të këtyre projekteve, është e domosdoshme qëçdo ndryshim, si gjatë fazës së përgatitjes dhe çdo ndryshim pas duhet të vijë për opinion dhe për vlerësim nga Ministria e Financave.

Së katërti, Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të koncesionit/PPP. Me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit mbi projektete koncesionit/PPP, është parashikuar në projektligj krijimi i Komitetit të Përzgjedhjes së Projekteve të koncesioneve/PPP, i cili do të jetë një organ kolegjial me objekt kryesor të veprimtarisë përzgjedhjen e projekteve të koncesioneve dhe PPP-ve, të cilët do të asistohen me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre.

Duke marrë shkas se me anë të këtij projektligji janë kufizuar mundësitë e zhvillimit të projekteve të koncesionit/PPP nga sektori privat, pra është kufizuar eksperienca që vjen nga sektori privat, do të mundësohet që për këto projekte të veçanta autoritetet publike të asistojnë me ekspertizë të specializuar për të hartuar studimet apo për të bërë oponencë më cilësore.

Pikërisht, ndryshimi i kuadrit institucional i parashikuar në këtë projektligj do të sjellë përgatitjen me cilësi të studimit të fizibilitetit, i cili përbën thelbin e rezultateve dhe suksesit të një projekti koncesioni/PPP, sikurse dhe mbështetjen me ekspertizë të specializuar për tu bërë oponencë propozimeve të pakërkuara në sektorët në të cilët do të lejohet paraqitja e propozimeve të pakërkuara.

Më lejoni të theksoj se transparenca do të jetë nëfokus. Ajo është sot aktuale, korente. Nëse do të shkoni te faqja zyrtare e internetit e ATRAKO-s, do të gjeni informacion për të gjithë kontratat koncesionare/PPP. Mendojmë se pas këtij projektligji do të vendoset edhe analiza e informacionit të shtuar që do të shoqërojë ndryshimet strukturore në ministri, sikurse u komentuan dhe pak më parë nga z. kryetar i komisionit.