Heqja e reciprocitetit, Vuçiç: Mundësi për dialog, po pres propozimin për Kosovën

7 Qershor 2020, 20:06

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.

"Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh", u shpreh Vuçiç, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.