Hera e fundit në skenë e Gëzim Krujës, regjisori: Iku nga froni një perëndi

5 Prill 2020, 14:09 | Përditesimi i fundit: 2020-04-05 14:36:06

Për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, Gëzim Kruja ishte një perëndi. "Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin. Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi. Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role". Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. "Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se....Por Teatri Migjeni sa të ketë një drejtoreshë aksidentale si Rita Gjeka, teatri do të jetë i diskriminuar, që janë larguar nga ai tetari, edhe Gëzimi është larguar. Jemi të dalluar si delet e zeza nga një gjol bretkosash' tha ai.