'Hera e parë që të shëruarit kalojnë numrin e të vdekurve', gazetari shqiptar nga Italia: Sistemi shëndetësor po vë poshtë koronavirusin

25 Prill 2020, 20:33

Situata e Covid-19 në Itali ka prekur edhe emigrantët shqiptar. Në një lidhje live nga Genova, gazetari Alban Daci tregoi për Report Tv, se ai ka komunikuar me shumë bashkatdhetar, të cilët i kanë shprehur shqetësimin se ndodhen në një situatë të vështirë ekonomike. Sipas tij, kjo ndodh për shkak se ka emigrantë që kanë ardhur për punë sezonale dhe nuk kanë arritur që të punojnë, por ka dhe nga ata që nuk kanë marrë pagat.

Për sa i përket numrit të të prekurve nga Covid-19 në Itali, Daci thotë se situata është pozitive, pasi numri i të shëruarve ka kaluar atë të të vdekurve. Kjo gjë ka rritur dëshirën për rifillimin e jetës normale, e cila shihet si një domosdoshmëri. Në muajin maj mendohet të hapen kantieret e ndërtimit, fabrikat që prodhojnë mjete bujqësore, por edhe baret dhe restorantet me kushtin që të respektojnë distancimin social.