'Heronjtë e heshtur' të Krujës që shpëtuan 7 jetë me mjete rrethanore nga rrënojat e tërmetit tronditës të 26 nëntorit

7 Dhjetor 2019, 16:30

'Heronjtë e heshtur' të 26 nëntorit janë përsonat që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e personave të mbetur në rrënoja.

Pjesë e tyre janë edhe zjarrfikësit e qytetit të Krujës të cilët pavarësisht rrethanave dhe kushteve në të cilat ata ndodheshin, arritën të shpëtonin disa jetë. 

Bilanci i tërmetit 6.4 i shkallës riter që goditi Shqipërinë më 26 nëntor dhe shkaktoi një numër të madh viktimash në Durrës e Thumanë mund të ishte edhe më i madh, nëse ndërhyrja e disa institucioneve apo qytetarëve të ndryshëm nuk do të ishte në kohë. 

Pjesë e tyre ishin edhe zjarrëfikësit e rrethit të Krujës.

Katër djem të ndodhur në punë si zakonisht, pas tërmetit të rënë në orën 3:54 minuta marrin telefonatën tragjike se në Thumanë ka godina të shembura e njerëz të lënduar, por kurrë nuk e mendonin se ajo natë do t’i përballte me një situatë, të cilën nuk e kishin përjetuar asnjëherë gjatë jetës së tyre.  

Natën e 26 nëntorit, ditën e tërmetit ne ishim në punë bashkë me kolegët e mi. 

Sapo morëm sinjalin nga salla operative ne u nisëm drejt Thumanës dhe brenda 15 minutash ishim atje, ku kemi parë një gjendje kaotike. 

Grupi yonë i përbërë nga 4 persona ishte tek pallati që ka më shumë viktima. 

Nga eksperienca ime 27-vjeçare kjo ka qenë një nga ngjarjet më të rënda që kam përjetuar. 

Sepse aty ishin mjaft njerëz nën rrënoja dhe puna jonë ka qenë ka qenë mjaft e vështirë. Kërkonim me mjete rrethanore. Me ato mjete që kishim. Me kapacitetin që ka zjarrëfiksja e Krujës”, tha Eduart Tupi,komandanti i grupit  zjarrfikës të Krujës.

Në luftë me kohën, me një zjarrëfikëse të vitit 1974, jashtë standarteve, e duke vënë në rrezik jetën e tyre nga lëkundjet e shpeshta sizmike, Eduart Tupi, Eduart Rustami, Kridis Murati dhe Ali Tupi kishin vetëm një qëllim, të nxirrnin nga rrënojat sa më shumë jetë të gjalla. 

Çdo njeri që u nxorr i gjallë u përjetua me duatrokitje sepse është jetë njeriu. Fatkeqësisht disa nuk mundëm t’i nxirrnim të gjallë, pavarsisht punës sonë dhe ndjejmë shumë keqardhje. 
Nuk do donim t’i kishim ato viktima. Asnjëherë në botë. Po të paktën arritëm t’i nxirrnim disa të gjallë dhe kjo ishte fitore për ne”
, është shprehur Tupi.

Gjatë punës së tyre këta  ‘heronj të heshtur’ kanë nxjerrë nga rrënojat të paktën 7 vetë të gjallë dhe 8 trupa  të pa jetë.