Hetimet pas tërmetit, zv/Ministrja e Brendshme Rovena Voda: Për pallatin te '2 Gjelat' janë bërë më herët 6 kallëzime

15 Dhjetor 2019, 13:19 | Përditesimi i fundit: 2019-12-15 14:11:37

Zv.ministres e Brendshme Rovena Voda, ka reaguar në lidhje me hetimet e hapura për sa u përket ndërtimeve në zonën e Durrësit që u shembën nga tërmeti dhe lanë pas shumë viktima. Sipas zv.ministres Voda, për pallatin në zonën e quajtur 'Dy gjelat' ka patur 6 kallëzime të mëparshme penale por disa janë pezulluar ndërsa të tjerët nuk kanë shkuar deri në fund.

Voda në një intervistë të dhënë për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta ka deklaruar se të gjithë përgjegjësit për atë që ajo e ka quajtur katrahurë, do të ndëshkohen.

"Nuk mund të bëjë koment tjetër që veç se përgjegjësit e kësaj situate që u pagua me viktima do të jenë para drejtësisë. Tek 'Dy gjelat' kam qenë dhe m kanë thënë se ka patur 6 kallëzime penale. Këto fatkeqësisht ka pasur të pushuara dhe pezullim. Është moment i mirë për të reflektuar për përgjegjësit para ligjit. Të gjithë ata që kanë legalizuar atë godinë në kundërshtim me ligjin, prokuroria do të vej para ligjit. Do të ketë një zinxhir të gjatë të përgjegjësve. Nuk justifikohet kjo lloj katrahure që është bërë me procesin e legalizimit, veç se abuzim." tha Voda.