Hidhet shorti për EURO 2020, Shqipëria përballë kampionëve të botës dhe Turqisë

2 Dhjetor 2018, 15:18 | Përditesimi: 2 Dhjetor 2018, 15:29

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mësuar kundërshtarët për eliminatoret e EURO 2020. Shorti i hedhur sot në Dublin ka vendosur kuqezinjtë përballë Francës, kampione bote, Islandës, Turqisë, Moldavisë dhe Andorrës. Shqipëria bën pjesë në grupin H me gjashtë ekipe. Ekipi i drejtuar nga italiani Panucci do të luftojë për njërën nga dy biletat që të dërgojnë në Euro 2020.

Nisur nga gjykimi në letër Franca është favorite kryesore për të kaluar grupin, ndërsa lufta për vendin e dytë pritet që të bëhet mes Shqipërisë, Turqisë dhe Islandës, e cila ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në vitet e fundit. Moldavia dhe Andorra shikohen si kundërshtarë të lehtë për kuqezinjtë, por fjalën e fundit do ta thotë fusha. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin Presidenti i FSHF, Duka, Shulku dhe Panucci ndërsa ndeshjet e para do luhen nga data 21 deri në 23 mars të vitit të ardhshëm. Kampionati Europian i futbollit 2020 nuk do të organizohet nga një shtet, por nga 13 të tillë.