'Hija' e Lul Berishës fshihet pas policisë private? Veliu i heq licensën 'One Security'

24 Nëntor 2019, 14:19

TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka vendosur t'i heqë licencën policisë private “One Security” që operon në qytetin e Durrësit. Vendimi nga Veliu është marrë 25 ditë, pasi gazeta “Shqiptarja.com” botoi një shkrim lidhur me aksionerët e dyshimtë të kësaj kompanie, ku duket se hija e Lulzim Berishës, qëndron prapa kësaj policie private. “Shqiptarja.com” mëson se kryepolici Veliu ka vendosur t'i heqë licencën kësaj policie private në datën 25 shtator 2019, me arsyetimin se Aurela Zela, pronarja në letra e kësaj policie private ka humbur kriterin e besueshmërisë. Nisur nga kjo situatë prej muajit Tetor 2019, mes policisë priva “One Security” dhe Policisë së Shtetit, ka nisur një përballje ligjore në gjykatën Administrative të qytetit të Durrësit.

Fillimisht Aurela Zela, ka kërkuar në gjykatë pezullimin e vendimit të datës 25 shtator 2019 të marrë nga kryepolici Ardi Veliu, pasi sipas saj kompania ka lidhur kontrata shërbimi me persona të tretë në kuadrin e sigurisë. Nëpërmjet avokatëve Zela pretendon se vendimi për anulimin e licencës i ka sjellë dëm të madh ekonomik, pasi po i prish investimet e bëra tek kjo kompani. Pavarësisht këtyre pretendimeve gjyqtarja e çështjes Rezarta Aliu, ka vendosur të refuzojë kërkesën e Aurela Zela, për pezullimin e vendimit të heqjes së licencës për policinë private “One Security”. Momentalisht të dyja palët janë përfshirë në gjykim themeli, ku Zela kërkon anulimin e vendimit të datës 25 shtator 2019, që i heq licencën policisë private “One Security”. Kjo polici private, ka dyshime se drejtohet në hije nga Lulzim Berisha. Policia private, ka qendrën në Durrës dhe është themeluar më 15 prill 2019. Fillimisht, themeluesit e kësaj kompanie rezultojnë të jenë Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës dhe Armand Zela, një biznesmen nga Kavaja.