Historia e trishtë e dy vëllezërve kosovarë balerinës dhe ëndrra e ndalur e studentes mjekësisë

28 Nëntor 2019, 02:10

Do të ishte dermatologe e ardhshme. Por ëndrrat e Kristi Reçit, studente e Mjekësisë në Tiranë, u prenë në mes. Ajo humbi jetën nën rrënoja në lagjen numër 18 në Durrës në një pallat 6 katësh i cili u shemb.

Fati për familjen e saj ishte tragjik. Kristi Reçi humbi edhe babain, Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain 22-vjeçar, Klausin, të cilët janë nën rrënojat e pallatit 6 katësh.

Kristi Reçi kishte një ëndërr: të bëhej doktoreshë dermatologe dhe të vazhdonte jetën në shërbim të komunitetit si mjeke.

Aktivistja Elona Caslli shkruan: “Mes shumë dhimbjesh, lotëve dhe trupave nën rrënoja që u nxorën pa frymë, ishte edhe trupi i një mjekeje të ardhshme si Kristi Reçi. Thonë se toka merr më të mirët. Thonë se më të mirët ikin gjithmonë më shpejt. Gjithçka thuhet apo thonë, një gjë mund të thuhet me siguri- Ishte e parakohshme ikja jote!”

Mes viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë është edhe Eviola Broshka, e cila ishte balerinë në hotelin 'Mira Mare' që u shemb totalisht nga lëkundjes sizmike të mëngjesit. Ajo mbeti brenda hotelit dhe u gjet pas disa orëve kërkime e vdekur nën rrënoja.

Evi, ishte nga Tirana dhe banonte në zonën e "Astirit" në kryeqytet, ndërsa siç thanë dëshmitarët, asaj i ishte shembur banesa nga projekti i "Unazës së Re".

"Pronari i restorantit 'Mira Mare' është hedhur nga penxherja, u ka thënë punëtorëve dilni se po këputet pallati dhe thonë se kanë zënë banakierin mbi 40-vjeç, më duket se është nga Korça edhe dy balerina, njëra u nxor e vdekur. Vajza që u nxor e vdekur thonë se ishte kameriere, banonte te Astiri në Tiranë i prishën shtëpinë. Një banakier nga Fieri shpëtoi. Ky djali që shpëtoi ka qenë te dhoma 101. Hoteli rrinte hapur 24 orë" tha anjë dëshmitar për Report Tv.

Isa dhe Shemsedin Abazi janë dy vëllezër nga Kosova të cilët u shuan nën rrënojat e hotel "Tropikal" në Durrës, të shembur nga tërmeti. Të rinjtë kishin arritur të kërkonin ndihmë me anë të celularit, por pas mbi 10 orë nën rrënoja, ata nuk mundën të mbijetonin. Kanë lënë pas fëmijët e tyre, njëri 4 të vegjël dhe tjetri dy fëmijë. Vite më parë, familja Abazi është prekur nga një tjetër tragjedi, ku djali i tyre ishte goditur për vdekje me thikë në një pishinë. Tashmë në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë  i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë.