Historia frymëzuese! Njihuni me Mian, gruan që mposhti me art kancerin pasi hoqi të dy gjinjtë

17 Tetor 2019, 16:42

TIRANE - Mia Xhexhovi është një nga gratë e cila e ka fituar betejën me kancerin e gjirit dhe ka vazhduar përpara me jetën e saj. Një grua e fortë dhe e talentuar e cila prej vitesh merret me punime me kashtë, një formë arti që e praktikon së bashku me bashkëshortin e saj.

Vetëm tre vite më parë Mia zbuloi se ishte prekur nga kanceri i gjirit, por pas një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale ku hoqi të dy gjinjtë, tashmë ajo vazhdon jetën e saj normalisht.

Kam kaluar një sëmundje të rëndë që mos e pastë risk kush. I kam dhënë kurajo vetes dhe sot jam këtu ku jam. Unë në një moment pashë një shenjë tek gjiri edhe thash po shkoj të bëjë një mamografi. Shkova bëra mamografinë, kur doli përgjigjja, doli që të dy gjinjtë i kisha të sëmurë edhe kishte avancuar shumë. Aty u alarmova, edhe familja kaloi një periudhë shumë të keqe në atë kohë. Pas tre ditësh shkova te doktori dhe me tha që duhet të heqësh gjirin e majtë, kurse  për të djathtin, pas gjashtë muajve duhet të vish prapë. I thash doktor mund të mi heqësh të dy gjinjtë”-u shpreh Mia Xhexhovi

Mia ka një mesazh të fortë për të gjitha gratë, ku i këshillon që të kryejnë mamografinë.

“Mesazhi im për të gjitha gratë është që çdo femër të shkojë ta bëjë një kontroll, prej moshës 20 vjeç e sipër, që të kujdesen për shëndetin e vet sepse shëndeti humbet menjëherë. Të heqësh gjinjtë nuk ka asnjë gjë, kështu që ta bëjnë një kontroll, të kujdesen për shëndetin e vet, ta humbasin një orë kohë me mamografinë”-tha Mia

Numri i rasteve me kancer është rritur, janë 708 raste vetëm në vitin 2018, por nëse sëmundja kapet në kohë, beteja me kancerin e gjirit mund te fitohet. Tetori është cilësuar si muaji rozë, një muaj i kushtuar ndërgjegjësimit të femrave për të kryer mamografinë.