Historiku/ Çështja e Teatrit Kombëtar nga 8 shkurti i 2018-s te shembja në 17 maj të 2020-s!

18 Maj 2020, 15:43

TIRANË- Çështja e Teatrit Kombëtar, e ka zanafillën në 8 shkurt të 2018-ës, kur një grup artistësh u mblodhën për të kundërshtuar disa pika të projektligjit për “Ligjin për artin dhe kulturën” në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve. Po në atë takim, ku të pranishëm qenë përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore dhe Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, si Robert Ndrenika, Mehdi Malkaj, Altin Basha, Arben Derhemi, Alert Çeloaliaj, Kastëriot Çipi, Bujar Asqeriu, artistët i përmendën ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaros, thashethemet që po qarkullonin në lidhje me një projekt, për të ndërtuar një godinë të re teatri me PPP (Partneritet Publik Privat), po aty ku ishte Teatri Kombëtar. Pas një këmbëngulje të gjatë, patën një takim me ish-ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ua mohoi ekzistencën e një projekti të tillë.