HISTORITE / Erdhi nga Anglia për fejesën e vëllait, shuhet nën rrënoja së bashku me prindërit...Dhëndrri i shpëton tërmetit

27 Nëntor 2019, 23:53

Familja Çupi më 26 nëntor do të ndërronte unazat. Djali i tyre, Aleks Çupi do të fejohej. Por tërmeti që shkundi Shqipërinë hapi mortin në këtë familje. Burrë e grua, Hajredin dhe Lutfie Çupi ndërruan jetë së bashku me djalin e tyre që kishte ardhur nga Anglia për fejesën e djalit, Klement Çupi. Ai kishte 10 vite që jetonte në Angli bashkë me bashkëshorten e tij. Ajo e priste në Angli t'i sillte lajme të mira nga fejesa, por mori lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të njeriut të saj të zemrës. Klement Çupi dha fillimisht shenja jete, madje kërkoi edhe ujë teksa ndodhej nën rrënoja në banesën e prindërve në Thumanë, ndërsa u nxor i pajetë pas rreth 17 orë kërkimesh.

25-vjeçari Kristian Preçi nuk mundi të shijojë lirinë. Ai kishte vetëm dy ditë që kishte dalë nga burgu, por ndërroi jetë nga tërmeti i së martës. I riu mori lëndime nga tërmeti teksa ishte në banesën e tij në Kurbin. Hipi në makinën dhe në tentativë për të shkuar me shpejtësi në spitalin e Laçit ka humbur kontrollin e makinës dhe ka dalë nga rruga. Avokati i tij tha se Preçi kishte vuajtur dënim duke qenë i pafajshëm. "Humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt", shkruante avokati.

    No videos found.