HISTORITË rrëqethëse të personave të vdekur nën rrënoja që na bënë të gjithëve të përlotemi

28 Nëntor 2019, 19:20

TIRANE - Lot, ankth, pritje dhe shpresë për jetë të gjalla, për një mrekulli nën rrënojat e ndërtesave që u shembën nga tërmeti i fuqishëm që shkundi Shqipërinë në 03:54 të së martës. Histori njerëzore të shuara mes fatit tragjik të këtij tërmeti ishte që me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati rreth 30 sekonda. Një vdekje që askush nuk do e dëshironte të tillë: Në përpjekje për të shpëtuar njerëzit e zemrës, disa prej të cilëve i kanë mbrojtur edhe me trupin e tyre. E tillë ishte historia e trishtë e një gjysheje në Thumanë, e pajetë nën rrënoja, teksa nga prehri i saj ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë nipin e saj të vogël. Një balerinë humbi jetën në punë në një hotel në Durrës, një polic në detyrë, familje të shuara, e histori edhe më të trishta si e një të riu që nuk mundi të shijojë lirinë e fituar vetëm dy ditë para tërmetit kur kishte dalë nga burgu. Goditjen më të fortë, e ka marrë familja Cara në Thumanë. Ka mundur të mbijetojë vetëm kryefamiljari dhe vajza e xhaxhait të tij, e cila u nxorr gjallë pas rreth 18 orësh nga lëkundja, pa nënën e saj dhe vajzën të cilat i la nën rrënojat e pallatit 5-katësh.