Holanda për vizat, deputetët e PS-së: Vendim politik i partive populiste, nuk ndikon integrimin

17 Prill 2019, 14:44

Deputetët e mazhorancës e kanë cilësuar vendimin e parlamentit holandez për vizat si një çështje të tyre të brendshme që nuk do të ndikojë në lëvizjen e lirë. Sipas deputetëve, Shqipëria ka bërë progres në sfidat e lëna si detyrë nga Këshilli i Europës.

Deputeti i PS Ervin Bushati: Çështje të brendshme të partive populiste

Deputeti Ervin Bushati thotë se nuk beson që kjo kërkesë e Holandës të gjejë mbështetjen nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian në KE.

"Mazhoranca ka bërë gjithçka, gjithë reformat sa i përket integrimit të Shqipërisë. Ne jemi të përgjegjshëm, sot dyfish aq më tepër që edhe opozita nuk është konstruktive dhe po përpiqet me çdo mënyrë të shtyjë procesin integrues të Shqipërisë. Çdo partnerë strategjik ka thënë që Shqipëria po ecën me reformën në drejtësi, një nga reformat më të thella sot në botë. Jemi i vetmi vend që në kushtetutë kemi një operacion ndërkombëtar monitorimi. KE është i qartë në dy vite në vazhdimësi i bënë ofertë Shqipërisë dhe Maqedonisë të afrohen më shumë në BE. Këto janë procese politikë në shumë vende të Evropës, sot kemi shumë parti euroskeptike, populiste, që kanë axhendën e tyre. Janë çështje të brendshme të politikave të vendeve të Evropës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë, nuk prezanton dhe nuk ka asnjë argument ligjor këtë e thotë edhe qeveria holandeze. Është një lëvizje politike, ne nuk do ta paragjykojmë.

Shqiptarët janë model suksesi në Gjermani, në Itali, në Belgjikë, kemi shqiptarë që kandidojnë për në Parlamentin Evropian, unë mendoj që në këtë duhet të jemi të gjithë bashkë. Kemi prezantuar një rezolutë në bashkëpunim me disa forca parlamentare,  për të mbështetur të gjithë kandidatët me kombësi shqiptare në zgjedhjet e PE-së dhe besoj të kalojë shumë shpejt edhe në parlamentin shqiptar një mbështetje e tillë. Shqiptarët kudo në vendet e BE-së janë model sukses, janë familjarë shumë të mirë, biznesmenë të mirë, nëse në ndonjë vend ka probleme të brendshme apo të sistemit të tyre ligjor kjo nuk ka të bëjë Shqipërinë. Pse nuk janë shqiptarët problem në Gjermani, në Itali. Kjo vjen nga parti të spektrit populist që po e shohim se po ndodh në shumë vende të botës".

Deputetja e PS Mimi Kodheli: Problem i brendshëm politik, nuk preket integrimi i Shqipërisë

"Çdo parlament është i pavarur të marrë vendimet e veta politike, dhe shumë vendime merren për konsum të brendshëm politikë. Nuk ka asnjë shqetësim në rritje për numrin e azilkërkuesve apo për problematika të shkeljes së ligjit nga shqiptarë. Problemi i tyre është i brendshëm. Kjo nuk do të afektojë procesin e hapjes së negociatave"

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda: Shifrat e kriminalitetit dhe azilkërkuesve janë ulur 

"Shifrat e fundit kanë treguar që kriminaliteti është në ulje, ashtu edhe numri i azilkërkuesve. Është çështje e brendshme e tyre, por është një çështje që nuk do të ndikojë."