Homazhe /Lamtumirë gjeneralit Rrahman Parllakut

16 Shtator 2019, 17:43

Për rreth dy orë në Muzeun Historik Kombëtar u mbajtën sot homazhet në nderim të gjeneralit Rrahman Parllaku, i cili u shua në moshën 100-vjeçare. Për ta nderuar  për veprën edhe përkushtimin e tij, që ka dhënë për lirinë e atdheut edhe për demokracinë në vend të pranishëm ishin familjarë, miq edhe kolegë, por nuk munguan as Presidenti i vendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 “Sot që është një ditë historike për mbarë popullin edhe kombin tonë, 16-shtatori, dita e Konferencës së Pezës, e besëlidhjes së të gjithë shqiptarëve pa dallim feje edhe ideje në luftën për liri, nuk e mendoja se do të ishte edhe dita që duhet që t’i thoshim lamtumirë gjeneralit Rrahman Parllaku, një prej komandantëve më të lavdishëm të Luftës Antifashiste, të luftës për liri, por edhe një prej personaliteteve më të mëdha të ushtrisë sonë. Një personalitet publik, që ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Përkushtimi i tij ndaj lirisë së atdheut edhe për parimin e demokracisë do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë”, tha Meta, presidenti i vendit.