Homazhet/Lamtumirë kolosit të muzikës, artistët: Avni Mula, themeluesi i fundit i institucioneve tona muzikore!

30 Tetor 2020, 16:51

Artistit që i dha shpirtin muzikës shqiptare, njeriut të palodhur i cili u shua në moshën 92-vjeçare Avni Mulës, iu dha lamtumira e fundit në hollin e Universitetit të Arteve. Miqtë, ish-studentët, kolegët e një jete, politikanët e majtë, por edhe të djathtë,  familjarët, nipër e mbesa, e veçmas dy vajzat e tij artiste, Adelina dhe Inva Mula nderuan në këto homazhe artistin e fundit të brezit të themeluesve të institucioneve muzikore, këngëtarin që ngjiti në skenë ariet më të bukura botërore, por edhe kompozitorin që ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke i lëvruar të gjitha gjinitë e muzikës.

“Janë më shumë se 60 vite, që Avniun e bëra ikonën time. Më gjeti pjesëtarë të korit të operës, edhe pashë tek ai njeriun e kompletuar nga të gjitha anët; një baba shembullor, bashkëshort i devotshëm, për rritjen e dy vajzave, që bënte shumë për shoqërinë’, shprehet baritoni Minella Kriqi.

E kam pasur mësues, prind, shok edhe koleg tërë jetës sime. Është shumë e vështirë që të gjej fjalët e duhura, por unë do ta përkufizoja me një shprehje; “U shembë edhe një shkëmb nga mali”. Avni Mula është i papërsëritshëm, i ka kënduar shpirti edhe na ka lënë një pasuri kombëtare. Sot duhet të ishte zi kombëtare, por zakonet janë sipas vendit. Një artist edhe këngëtar i paarritshëm, por edhe një kompozitor që na ka lënë këngë që do t’i këndojmë ndër shekuj”, kompozitor Robert Radoja.

“Avni Mula është një figurë e madhe e artit operistik, interpret i madh i muzikës operistike, jo thjesht si artist, por edhe krijues. Ka merita të mëdha në gjallërimin e këngëve shqiptare, që e bëjnë atë artistin më popullor të kultivuar në gjininë e tij. Opera “Borana” dhe “Karnavalet e Korçës”, këngë koncertore, si Agimet shqiptare, një romancë sa brilante aq edhe e frymëzuar, apo edhe “Valsi i lumturisë” ka mbushur tavolinat shqiptare në përjetësi”, shprehet dirigjenti Zhani Ciko.