Hong Kong, 4500 protestues të arrestuar që nga qershori, tensionohen marrëdhëniet Pekin-Londër

19 Nëntor 2019, 13:19

Pas ndërhyrjes së dhunshme të policisë dje në ambjentet e Universitetit Politeknik në Hong Kong, ku u arrestuan më shumë se 200 student protestues dhe u plagosën rreth 50 prej tyre nga plumbat e gomës, brenda kështjellës së rezistencës kanë mbetur ende 100 studentë që kundërshtojnë të dalin dhe po rezistojnë ndaj sulmeve të policisë duke përdorur ndaj tyre bomba Molotov e deri harqe me shigjeta.

Që prej fillimit të protestave në muajin qershor, sipas autoriteteve policore, janë arrestuar 4500 persona midis moshës 11 dhe 80 vjeç.

Ndërkohë tensionohen marrëdhëniet midis Pekinit dhe Londrës, pas asaj që Kina zyrtare e ka quajtur ndërhyrje në punët e brendshme të Hong Kongut.

Ambasadori kinez në Mbretërinë e Bashkuar i kërkoi Qeverisë Britanike të reflektojë seriozisht në vërejtjet e bëra nga Pekini në lidhje me protestat në Hong Kong, dikur koloni britanike.

Ambasadori Kinez deklaroi se Britania duhet t’i jap fund kritikave ndaj policisë në Hong Kong, qeverisë së drejtuar nga guvernatorja Lam dhe përkrahjes së protestuesve, që sipas tij, janë vetëm një hap larg terrorizmit.

Ndërsa Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga "dhuna e papranueshme".