Horror në një familje në Kavajë, burri xheloz djeg për së gjalli gruan 45-vjeçare në makinë pastaj vetëvaret në pemë! Prej 2 muajsh në proces divorci

10 Prill 2021, 16:53

KAVAJË- Një makinë që po digjej rreth orës 07:00 të së shtunës në fshatin Manskuri të Kavajës, zbuloi një krim makabër që shkon përtej të paimagjinueshmes. Burri i kishte vënë flakën për së gjalli gruas së tij në makinë, dhe më pas i kishte vrarë veten pak metra më tutje duke u vetëvarur në një pemë. Viktimat janë identifikuar si Fëllënza Shirja 45 vjeçe dhe Bilbil Shirja 48 vjeç, prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali adoleshent.

Nga informacionet e para raportohet se shkak për këtë krim horror është bërë xhelozia, ku çifti ishte në prag ndarjeje prej më se 2 muaj dhe ditën e hënë do të mbahej seanca përfundimtare për divorcin e tyre. 48-vjeçari kishte marrë gruan nga banesa e prindërve, ku rrugës së kthimit e ka mbyllur në makinë dhe më pas i ka vënë flakën. Kanë qenë banorët e fshatit ato që panë flakët e makinës që po digjej duke njoftuar uniformat blu, të cilët me të mbërritur në vendin e ngjarjes zbuluan krimin monstruoz.