Humbi banesën e vjetër nga tërmeti, familja me dy kurorë në Farkë bëhet me dy shtëpi të reja

3 Mars 2021, 16:48

Familja e Sadete Koshit në Farkë, 26 Nëntorin e tërmetit tragjik e gdhiu në qiell të hapur. Sot, një vit nga fatkeqësia, dy kurorat e kësaj familjeje, - Sadetja me bashkëshortin e saj dhe Luani me familjen e tij, gëzojnë secila nga një shtëpi, falë Programit të Rindërtimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili sëbashku me deputetin e PS, Sadi Vorpsi dhe kreun e Njësisë Administrative Farkë, Ardian Tufa, vizituan këto dy familje, të cilat hynë në shtëpitë e reja, u shpreh se, të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti tragjik do e gëzojnë këtë ditë.

Dua të garantoj të gjithë të tjerët që pyesin “kur do vijë radha jonë?”: Do bëhen të gjitha shtëpitë! Ka filluar lagjJa “5 Maji”, ku po ngrihen pallatet e para. Sapo filloi edhe Kombinati. Këshilli Bashkiak dha javën e kaluar 200 kontrata për apartamentet në Kombinat, këtë javë 140 të tjera. Do vazhdojmë çdo javë, derisa të gjithë të marrin edhe kontratat e porosisë. Nga Biza e Martaneshit, ku kemi kufirin me Klosin e Burrelin, deri në Ndroq, ku kemi kufirin me Durrësin, nga kilometri 29 në Krrabë, ku kemi kufirin me Elbasanin, deri në Kashar në kufi me Rinasin, do i bëjmë të gjitha shtëpitë në Tiranë. Kjo vlen edhe për bashkitë e tjera. Është vetëm çështje radhe,” u shpreh Veliaj.

E zonja e shtëpisë, Sadetja u shpreh mjaft mirënjohëse për gjithë punën e bërë, jo vetëm në zonën e Farkës, ku prej dekadash banon, por edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti.