Humbi kontaktet 5 vite më parë duke lënë vajzën e mitur, motra në 'Pa Gjurmë': Presim kthimin me zemër të ngrirë

14 Maj 2020, 21:17

Anita Tafani që nga prilli i vitit 2015 ka humbur çdo kontakt me familjarët, duke lënë edhe vajzën që asokohe ishte vetëm 5 vjeç, të rritet pa nënën. Në vitin 2012 bashkë me bashkëshortin e saj dhe me vajzën emigruan drejt shtetit gjerman për një jetë më të mirë. Në fillim të dhjetorit të vitit 2013 Anita kthehet në Shqipëri dhe shkon tek motra e saj, Anila pasi vëllai dhe nëna ishin në Francë.

Kur u kthye Anita që sot është 32 vjeç, i dha lajmin motrës së saj se ishte ndarë nga bashkëshorti me mirëkuptim, por arsyen e kësaj ndarje familjarët asnjëherë nuk e morën vesh. Familja u mundua që ta mbante afër dhe ta mbështesnin pas këtij vendimi. Anila, motra e saj u mundua edhe që t’i fliste për vajzën e vogël që mos ta braktiste, por Anita nuk e dëgjonte. Dëshira më e madhe që kjo 32-vjeçare kishte, ishte që të ishte e pavarur dhe gjithmonë familjarëve u thoshte se kishte jetën e saj dhe se do të ecte vetë para në jetë. Më 21 dhjetor të po këtij viti, ajo largohet drejt shtetit grek, konkretisht në qytetin e Athinës.