Humbja përballë Kastriotit/ Shkarkohet trajneri i Kukësit, në vend të tij vjen Gjoka

6 Prill 2019, 22:49

Ka zgjatur pak aventura e Ramazan Ndreut në krye të pankinës së Kukësit. Pas humbjes 2-1 ndaj KS Kastriotin, drejtuesit e skuadrës verilindore kanë vendosur të shkarkojnë trajnerin. Lajmin e ka dhënë vetë klubi, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Sipas drejtuesve, Ndreu është shkarkuar me motivacionin se nuk e menaxhoi si duhet lojën dhe ishte shumë inaktiv në pankinë.

"FK Kukësi njofton se, pas humbjes sot në Fushë Krujë me rezultatin 2 - 1 me KS Kastriotin, shkarkohet trajneri Ramazan Ndreu . Ndreu nuk menaxhoi si duhet lojen dhe ishte shumë inaktiv në pankinë. Trajneri ka patur mbështetje maksimale nga klubi dhe Presidenti, por humbja e sotme e ngarkon me përgjegjësi të plotë. Në vijim do kemi komunikime të tjera me publikun", shkruhet në njoftim. 
Vetëm pak kohë pasi u njoftua shkarkimi i trajnerit, Ramazan Ndreu, numri 1 i klubit të Kukësit, Safet Gjici, nuk vonoi të gjente zëvendësin e tij.

Bëhet fjalë për trajnerin Ernest Gjoka, i cili dy sezone më parë shpalli Kukësin kampion.  Lajmin e ka dhënë vetë klubi, me anë të një statusi në "Facebook" ku shkruhet:

" Njoftim i Klubit! Ernest Gjoka rikthehet në pankinën e Kukesit në vend te Ramazan Ndreut , i larguar sot pas humbjes me Kastriotin.Gjoka ka dalë Kamipon me Kukësin për herë të parë dhe njeh mirë ekipin dhe klubin e Kukësit.Objektiva te Klubit dhe të trajnerit të ri mbeten loja e fortë dhe mos heqja dorë nga titulli Kampion derisa e lejon matematika dhe fitimi Kupës së Shqipërisë."