‘Humbje e madhe për futbollin nëse ndërpritet kampionati’, Nexhipi: Tirana ta fitojë titullin në fushë

30 Prill 2020, 13:30

Një ditë pas deklaratës së ministrës së Shëndetësisë Ogerta Manastriliu se është ende herët për të menduar për futbollin, duke lënë të kuptohet se kampionati mund edhe të mos rinisë, për ‘Report TV’ Nderim Nexhipi, drejtori i klubit të Kukësit thotë se kjo do të ishte një humbje e madhe për futbollin.

“Do të jetë një humbje e madhe për të gjithë klubet. Normal që shëndeti është në plan të parë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, sidoqoftë akoma po shpresojmë që të ketë një mundësi që të fillohet dhe të mbarohet kampionati këtë dy muaj.”

Lidhur me lajmin se disa futbollistë të Kukësit kanë mbetur jashtë kufinjve Nexhipi thotë:

“Faktikisht janë tetë lojtarë që janë jashtë vendit. Tani janë shtatë se Shkurtaj është kthyer dhe është duke bërë karantinimin në Durrës. Jemi në kontakt me të gjithë lojtarët, kemi disa prej tyre në Kosovë dhe Maqedoni e po presin të kthehen.”

Më tej Nexhipi konfirmon se FSHF ka shpërndarë pagën e dytë të ndihmës prej 30 mijë lekësh futbollistëve.