Hyn në fuqi vendimi! Nesër fillon rritja e pensioneve (Kategoritë dhe sa do të përfitojnë)

31 Mars 2020, 17:46 | Përditesimi i fundit: 2020-03-31 17:48:48

Nga dita e mërkurë, 1 prill, qeveria ka vendosur që të gjitha pensionet rriten në masën 2.3 për qind. Këshilli i Ministrave ka miratuar indeksimin, në masën 2.3 për qind, të të gjitha kategorive të pensioneve në Republikën e Shqipërisë.

Sipas këtij vendimi, rriten në këtë masë pensionet e pleqërisë, ato të banorëve të zonave rurale, pensionet e posaçme, etj.  Po kështu, përfitojnë edhe ata që marrin pensione për invaliditet, që trajtohen si veteranë të luftës antifashiste, ushtarakët, minatorët e të tjerë që marrin pensione të posaçme.

Në këtë masë përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1 prill 2020 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2020, përfshirë edhe këtë datë.

Në VKM përcaktohet që pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, që kanë datë fillimi të të drejtës deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2020 nuk do të jenë më pak se 14.069 lekë dhe jo më shumë se 28.139 lekë në muaj.

Ndërsa pensionet e parakohshme, nuk do të jenë më pak se 14 069 lekë në muaj. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 2 miliardë e njëqind milionë lekë, që do të përballohen nga buxheti i shtetit në zërin e shpenzimeve për sigurimet shoqërore.