I akuzuar për 17 vjedhje, bie në pranga grabitësi i pikturave në Korçë! Tentoi të vjedhe edhe kishën e Shën Sotirit

28 Gusht 2020, 11:02

Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur një pikturë në një banesë, ndërkohë që më pas është dokumentuar se Erion Berberi banues në Korçë, është autor edhe i 16 vjedhjeve të ndodhura në tre muajt e fundit në qytetin juglindor.

Autori i këtyre ngjarjeve ishte i dënuar më parë për vjedhje, ndërsa ai përgjithësisht grabiste piktura me vlerë, sasi lekësh dhe orendi e pajisje shtëpiake. Gjithashtu raportohet se Berberi vidhte edhe dyqane e lokale, ndërsa ka tentuar të vjedhë edhe kishën e Shën Sotirit në lagjen numër 1.

Konkretisht 33-vjeçari që u ka duke vjedhur në shtëpinë e shtetasit V. T dyshohet edhe për këto vjedhje:

- Në lagjen nr. 3, është vjedhur banesa e shtetases V. M.

- Në lagjen nr. 10, është vjedhur banesa e shtetasit J. Ç.

- Në lagjen nr. 12, janë tentuar të vidhen 4 banesa; është vjedhur banesa e shtetasit M. K., dhe dyqani i shtetasit K. B.

- Në lagjen nr. 17, është vjedhur lokali i shtetasit A. Xh.

- Në lagjen nr. 18, është vjedhur lokali i shtetasit Sh. G., banesa e shtetasve L. G;  Ll. P; dhe A. Ç; është tentuar të vidhet banesa e shtetasit Dh. G; dhe është vjedhur dyqani i shtetasit I. C.

- Në lagjen nr. 1, është tentuar të vidhet një objekt kulti.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Vjedhja, e kryer më shumë se një herë".