I arrestuari i parë për masat anti - COVID, pronari i lokalit në Durrës nuk ndali dasmat

6 Shtator 2020, 13:19

Një 52-vjeçar, pronar i një lokali në Durrës, është arrestuar pasi ka shkelur në mënyrë të përsëritur masat anti-covid,  duke organizuar dasma në ambientet e aktivitetit të tij. Ky është i arrestuari i parë që ndodh në kuadër të zbatimit të ndryshimeve në Kodin Penal për parandalimin e COVID-19, i cili prej 4 muajsh kishte zbatim vetëm në letër.

52-vjeçari S.P., është gjobitur dy herë me nga 1 000 000 lekë  si dhe i ishte pezulluar aktiviteti për 6 muaj, por sërish nuk është bindur që masat anti-covid duheshin zbatuar duke vijuar të organizonte sërish dasma.

Gjatë kontrollit të policisë, edhe pse aktiviteti i tij ishte i pezulluar, ai është gjetur duke organizuar sërish ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Shkelja e përsëritur e protokolleve të sigurisë ka bërë që 52-vjeçari të arrestohet në  flagrancë.

Për rrezikshmërinë e virusit dhe zbatimin e detyrueshme të protokolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duket se ka ende persona të pandërgjegjësuar, që vijojnë të mos zbatojnë rregullat pavarësisht paralajmërimeve dhe gjobave të vendosura.

Në vendin tonë shifrat e të infektuarve me COVID-19 vijojnë të jetë të larta ku një ditë më parë u shënuan 6 humbje jete dhe 135 raste të reja.

Ndërsa deri më tani kishim vendosjen e masave në kuadër të aktit normativ, pavarsisht shkeljes në mënyrë të përsëritur, tashmë kush shkel masat anti covid do të përballet me një vepër penale të parashikuar në kodin penal.