I dënuar me burg përjetë, anëtari i bandës famëkeqe të Tan Kateshit kërkon lirinë! Taulant Balliu: Kam nënën vetëm

25 Mars 2021, 16:39

Një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm kërkon lirinë. Taulant Balliu, anëtar i bandës famëkeqe të vitit 1997, asaj të Tan Kateshit në Elbasan ka kërkuar të lirohet pasi ka kryer 25 vite burg. Balliu e ka argumentuar kërkesën me faktin se nëna e tij jeton e vetme, pasi i vëllai që jetonte me nënën ndërroi jetë.

Taulant Balliu është i njohur ndryshe me pseudonimin “Cikja”. Ai ka qenë krahu i djathtë i kapos së grupit kriminal të ngritur në vitin 1997 në qytetin e Elbasanit, Tan Kateshi.

Gjatë trazirave ai është mbajtur si një prej ekzekutorëve kryesor të bandës, të përbërë nga 30 persona, 11 prej të cilëve të vrarë. 

Banda që drejtohej nga Artan Kateshi, që më pas mori dhe emrin e tij, aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Mbi ta rëndojnë një sërë akuzash dhe tashmë shumica e tyre ose kanë vdekur ose janë në burg duke vuajtur dënimin.

Nga muaji gusht ‘97 forcat e policisë kishin arritur të arrestonin 3 pjesëtarë kryesorë të bandës, ndërkohë që kërkoheshin informacione për të tjerët, veçanërisht për Tan Kateshin. Do të kalonin gati 2 vjet që policia të siguronte një informacion të besuar se Kateshi me Taulant Balliun, Çajup Kasën dhe Gjergj Dedën qarkullonin në qytetin e Elbasanit. Informatori mundi të mësojë se këta kriminelë ishin duke pirë kafe në lokalin e C. A.-së në qendër të qytetit.