I hipën sipër dhe përdhosën bustin e Françesk Radit, Elton Deda shpërthen ndaj të rinjve

15 Korrik 2019, 17:26

Ditëve të fundit në rrjet ka qarkulluar një video ku dy djem të rinj dhunojnë bustin e artistët të madh shqiptar Françesk Radi, që është i vendosur pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë.

Në video janë tre persona ku njëri filmon ndërsa dy të tjerët tentojnë të prishin bustin e Radit. Njëri prej djemve shihet  se i ka hipur sipër bustit ndërsa tjetri tërheq kitaren e bronxtë.

Kjo ngjarje e shëmtuar nuk ka lënë pa tërhequr edhe vëmendjen e kantautorit, Elton Deda. Ai ka dënuar aktin e bërë nga të rinjtë ndërsa ka thënë se e vetmja mënyrë për ta është riedukimi.

 “Ndyresira!

 Duhet pashaportizim per Tirone!

Vetem riedukimi ju ben derman.

 Ndyresira si ju na ben te na marre malli per kohen e qoftelargut!”, shkruan Deda.

Françesk Radi është një nga artistët më të mirënjohur për publikun shqiptare jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Radi kreu Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve, në Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Tiranës me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar.

Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.