I humbur prej 27-vitesh, në kërkim të Gani Dardeshit

13 Dhjetor 2019, 17:43

Gani Dardeshi u zhduk në prill të vitit 1992. Djali i tretë i familjes nga Dibra ishte 21 vjeç asokohe, kur emigroi për herë të tretë në Greqi. Më parë kishte kaluar kufirin ilegalisht bashkë me kunatin e tij, pasi la ushtrinë dhe vendosi të punonte për t’i ardhur në ndihmë familjes së madhe me 6 fëmijë. Ai kishte punuar në Trikalla për periudha të ndryshme dhe merrej me bujqësi. Në herën e tij të tretë në tokën helene, ai u nda nga kunati për t’u zhvendosur në një fshat tjetër në kërkim të një pune. Me vete mori pasaportën dhe 10 dhrami. I fundit që e takoi ishte daja i tij, të cilit i kërkoi një punë, dhe nuk mundi ta sigurojë. Për këtë arsye Ganiu u largua dhe që nga ai moment nuk u kthye më. Nuk pati asnjë kontakt, as me familjen. 7 vite pas nga zhdukja e të riut, një fqinj i familjes së Ganiut u tha familjarëve se kishte takuar dy gra nga Kosova, të cilat pretendonin se e dinin se ku ndodhej Ganiu. Sipas pohimeve që nuk u konfirmuan kurrë, ai thanë se Ganiu ndodhej në Amerikë. Kaq dhe asgjë më shumë, pasi familjarët nuk mundën të mësojnë as emrat e zonjave nga Kosova që pretendonin të dinin të vërtetën e fatit të Gani Dardeshit.