'I kemi të nevojshme disa kilometra', pensionistët në Lezhë: Sot po rrimë për qefin tonë

18 Prill 2020, 11:18

Pensionistet ishin të vetmit persona që lëviznin në rrugët e qytetit të Lezhës paraditen e kësaj të shtunë. Duke përfituar dhe nga rrezet e diellit dhe moti i ngrohte, orët e lirisë janë shfrytëzuar në maksimum nga të moshuarit.

Shumica prej tyre kishin dalë për ajrosje, ndërsa zbatonin në maksimum rregullat e përcaktuara për mbrojtjen nga koronavirusi. Pensionistet përshëndesin lirinë e dhënë nga kryeministri, ndërsa kërkojnë që t'ju jepet leje të dalin më shpesh nga banesat, pasi ajrosja është mjaft e domosdoshme edhe për shëndetin e tyre.

"Na kanë dhënë urdhër sot me dalë dhe e bëmë një xhiro. Kemi gjashtë javë që qëndrojmë brenda,"-shprehet një pensionist. Ndërkohë një tjetër deklaron: "Është e nevojshme për moshën tonë se trupi ka nevojë të eci, t'i bëjmë disa kilometra. Nga koronavirusi nuk kam frikë se unë i zbatoj të gjithë rregullat që na ka nxjerrë shteti."